Takim pune në Prefekturën e Qarkut Berat

Më 19 Nëntor 2026, në ambientet e Prefekturës së Qarkut Berat, u zhvillua mbledhja me temë “Siguria e digave dhe parandalimi i përmbytjeve, prioritet në Qarkun Berat” më pjesmarrjen e të gjitha bashkive që administrojnë dhe shfrytëzojnë diga .
Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Berat, Znj. Valbona Zylyftari, u zhvillua një takim pune me pjesëmarrjen e Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha (KKDM), z. Ardian Islami, dhe përfaqësues të bashkive dhe institucioneve përgjegjëse të këtij Qarku.
Në fjalën e saj Prefekti i Qarkut Berat, Znj. Valbona Zylyftari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër-institucional, hartimit të projekteve konkrete dhe sigurimit të financimeve për rritjen e sigurisë së digave dhe parandalimin e rrezikut nga përmbytjet. Znj. Valbona Zylyftari theksoi se Institucioni i Prefektit të Qarkut Berat do të vijojë koordinimin me strukturat përgjegjëse, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe territorit.
Në fokus të takimit ishte vlerësimi i gjendjes së digave dhe rezervuarëve, evidentimi i problematikave teknike, si dhe përcaktimi i prioriteteve për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e tyre.
Në cilësinë e Kryetarit të KKDM-së, Z.Ardian Islami falënderoi Prefektin e Qarkut Berat, Znj. Valbona Zylyftari për iniciativën, organizimin dhe fjalën hapëse të takimit, në të cilën u evidentuan në mënyrë të detajuar angazhimet e nevojshme të qeverisjes vendore për garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimit të digave nga të gjitha bashkitë e Qarkut Berat.
Z.Islami beri një ekspozim të situatës reale të gjendjes dhe sigurisë se digave në këtë Qark, duke vendosur theksin në nevojën e një angazhim më të madh nga të gjitha bashkitë për përmbushjen e kërkesave ligjore dhe teknike (të rregulloreve të shfrytëzimit, hartimin dhe përditësimin e planeve të emergjencës, monitorimin e vazhdueshëm të objekteve, si dhe paraqitjen e raporteve vjetore teknike) duke shprehur mbështetjen e KKDM dhe të strukturave të saj ekzekutive STDM/ITD.











