Takim pune në Prefekturën e Qarkut Vlorë.

Më 25 Nëntor 2026, në ambientet e Prefekturës së Qarkut Vlorë, nën drejtimin Prefektit të Qarku Zj. Evis Allushi u zhvillua takimi ndër institucional me Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha (KKDM), Z. Ardian Islami, drejtues dhe përfaqësues të Bashkive, si dhe të institucioneve përgjegjëse për vlerësimin e gjendjes së sigurisë së digave dhe ujëmbledhësve në Qark me temë: “Siguria e Digave dhe masat e nevojshme gjatë sezonit vjeshtë-dimër 2026–2027”.
Në fjalën e tij Prefekti i Qarkut Vlorë Zj. Evis Allushi theksoi rëndësinë për vëmendje të vazhdueshme, angazhim konkret dhe përgjegjësitë institucionale të gjitha strukturave përgjegjëse vendore, me fokus në çështjen e sigurisë së digave dhe përgjegjësia e administrimit të tyre dhe raportimi i problematikave. Zj. Allushi kërkoi nga të gjitha Bashkitë e Qarkut të marrin përgjegjësitë që u takojnë për mirëmbajtjen dhe sigurinë e veprave që kanë në administrim, të evidentojnë problematikat dhe të paraqesin plane konkrete ndërhyrjeje, me përgjegjësi dhe afate të përcaktuara duke theksuar se: “Siguria e digave lidhet drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës. Nuk duhet të pritet që një problem teknik të kthehet në emergjencë civile për të marrë masa”.
Në takim u analizuan informacionet e administruara, problematikat konkrete në disa Bashki të Qarkut, ku evidentohen ujëmbledhës jashtë funksionit, dëmtime të shkarkuesve, bllokime të ujëlëshuesve dhe ndërhyrje të pa autorizuara.
Në cilësinë e Kryetarit të KKDM-së, Z.Ardian Islami falënderoi Prefektin e Qarkut Vlorë Zj. Evis Allushi për organizimin dhe fjalën hapëse të takimit me theksin në angazhimet e nevojshme të qeverisjes vendore për garantimin e sigurisë dhe mirë funksionimit të digave nga të gjitha Bashkitë e Qarkut Vlorë.
Kryetari i KKDM Z. Islami në ekspozimin e situatës reale të gjendjes dhe sigurisë se digave në Qarkun Vlorë, vuri theksin në nevojën e një angazhim dhe koordinimi ndërinstitucional nga të gjitha Bashkitë për përmbushjen e kërkesave ligjore dhe teknike (të rregulloreve të shfrytëzimit, hartimin dhe përditësimin e planeve të emergjencës, monitorimin e vazhdueshëm të objekteve, si dhe paraqitjen e raporteve vjetore teknike) duke shprehur mbështetjen e KKDM dhe te strukturave te saj ekzekutive STDM/ITD.










