Inxhinieret e ndërtimeve Hidro-Teknike.
I Nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave !
Të nderuara zonja !
Të nderuar kolege dhe pjesëmarrës !
Historia e projektimit, ndërtimit dhe shfrytëzimit të digave të mëdha për prodhim energjie ujore, për furnizim me ujë dhe për bujqësinë në Shqipëri është një ndër historitë më të suksesshme të shkencave inxhinierike në vendin tonë. Veprat e ndërtuara ndër vite në këtë sektor janë gjigande dhe të paarritshme edhe sot. Këto vepra na bëjnë krenar në Evropë dhe në botë për punën e inxhiniereve tanë të talentuar.
Megjithëse sektori i inxhinierisë ujore është një nder sektorët më të vështirë për sa i përket projektimit dhe ndërtimit të objekteve të tij, në Shqipëri ky sektor ka pasur dhe ka kontributin e vlefshëm të inxhiniereve që kanë punuar në këtë sektor.
Historia e ndërtimit të digave ka filluar 65 vjet më parë me ndërtimin e Digës së HEC Ulzës ku specialistet shqiptare mësuan të ndërtonin objekte të tilla të rëndësisë së veçantë dhe të vazhdonin me projektimin dhe ndërtimin e disa digave për prodhim energjie ujore.
50 vjet më parë u vu në shfrytëzim HEC i Vaut të Dejës për të cilin janë ndërtuar 4 diga të mëdha dhe u krijua ujëmbledhësi i saj me volum uji prej më se 500 milion m3 ujë.
Në ndërtimin e kësaj vepre fillon edhe kontributi i vyer i plejadës së inxhiniereve hidroteknike në sektorin e Ujit. Ato ishin tre. Një koleg i tyre i ka cilësuar 3 Vajzat e HEC të Vaut të Dejës të cilat me punën, aftësinë, seriozitetin, thjeshtësinë dhe dinjitetin e tyre morën respektin dhe vlerësimin e bashkëkohësve të tyre dhe brezave që erdhën më pas. Ato ishin:
1- Antoneta (Belica) Vasili
2- Sashenka Kapisyzi (Agoviku)
3- Mari Luiza Kacarosi (Frasheri)
Dhe historia e suksesshme në zhvillimin e sektorit Hidroteknik vazhdoi ashtu si vazhdoi edhe kontributi modest i grave inxhiniere në projektimin dhe ndërtimin e veprave hidroteknike për prodhimin e energjisë, për furnizimin me ujë dhe për zhvillimin e bujqësisë dhe krijimin e një sistemi unik dhe të veçantë të ujitjes së mijëra hektarëve toka bujqësore. Sot, në këtë sektor, kemi gra dhe vajza që drejtojnë sektorë të rëndësishëm të vendit siç është Gerta Lubonja në Agjencinë e menaxhimit të Burimeve Ujore, që janë pedagoge në Universitete dhe Konsulente në projekte të mëdha të furnizimit me ujë dhe mbrojtjes së mjedisit siç janë Phd. Miriam Ndini dhe PhD. Enkelejda Gjinali dhe shumë të tjera që punojnë në ndërtimin e veprave hidroteknike.
Historia e pjesëmarrjes së grave në sektorin e ujit ka filluar 55 vjet më parë në Universitetin e Tiranës ku u regjistruan si studente 7 vajza të reja të cilat filluan të parat këtë rrugë të vështirë. Që nga ajo kohë e deri më sot, nga dyert e këtij Universiteti kanë dalë me se 1000 inxhiniere femra në fushën e ujerave të cilat kanë punuar me përkushtim dhe seriozitet për ndërtimin e veprave hidroteknike ne fushën e energjisë, furnizimit me ujë dhe bujqësisë.
Në ketë prezantim do të flasim për një nga ato 7 vajzat e reja që filluan udhëtimin 55 vjet më parë. Ajo quhet Natasha Alikaj dhe sot ndodhet këtu prezent.
Zj. Alikaj pas përfundimit të studimeve, filloi karrierën e saj si inxhiniere në sektorin e Ujërave të qytetit të Vlorës.
Në vitin 1972 filloi punën ne Institutin e Studimeve dhe projektimit të veprave të Ujitjes. Për 25 vjet me radhë ajo ka dhënë kontributin e saj të vyer në këtë Institut duke marrë pjesë si projektuese në shumë vepra hidroteknike të Ujitjes, sistemeve të kullimit, mbrojtjen e tokave, rezervuarët per ujitje, stacione pompash dhe ura të ndryshme. Këto vepra janë ndërtuar gjate kësaj kohe në të gjithë zonat e Shqipërisë që nga Vlora në Tirane, Durrës, Fier e Peqin.
Gjatë kësaj kohe, ajo ka qenë Anëtare e Këshillit Shkencor të Institutit.
Ndër objektet kryesore të projektuara gjatë kësaj kohe kanë qenë diga e Xhafzotaj dhe Spitallës në Durrës, Qestorat në Gjirokastër, Trestenik dhe Visociva ne Devoll.
Gjithashtu, ajo ka punuar edhe për projektimin e mbrojtjes së tokës nga lumi i Vjosës dhe Shkumbinit.
Gjatë viteve 1993 – 1997 ka marrë pjesë në grupin e punës të Ministrisë së Bujqësisë për projektin e rehabilitimit të veprave të Ujitjes në 7 rrethe të vendit si Tirana, Durrësi, Vlorë, Krujë, Kavajë, Sarandë.
Në vitin 1998 ka vazhduar punën ne Institutin e Studimit te Tokave se sektorin e ujërave.
Zj. Alikaj ka marre pjese ne studime te zhvillimit urban për zonat Tirane, Durrës e Vorë ka marre pjesë në studime etj.
Në vitet 2003 – 2006 ka qenë Anëtare e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha i cili është një institucion i Këshillit të Ministrave që aprovon projektet e digave dhe kontrollon gjendjen dhe monitorimin e tyre. Gjatë kësaj kohe, ajo ka marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për një projekt të ri të filluar në vitin 2005 në lidhje me rritjen e sigurisë së digave në Shqipëri, i cili ka marrë në shqyrtim afro 200 diga të mëdha të ujitjes në vendin tonë.
Në vitet 2001 – 2007 ka punuar pranë njësisë së projektit të financuar nga Banka Botërore për rehabilitimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit.
Në vitet 2007- 2014 ka qenë anëtare e shoqatës “Qendra e Studimeve dhe Konsultimeve” në Tiranë ku ka kryer studime për mbrojtjen e mjedisit në disa Bashki dhe Komuna të vendit si në Ballsh, Golem, Selenicë, etj.
Dhe lista është e gjatë në aktivitetin e saj më se 40 vjeçar në fushën e ujit dhe të mbrojtjes së Mjedisit.
Unë do të desha ta mbyllja këtu prezantimin për zj. Natasha Alikaj duke i uruar jetë të gjatë dhe të lumtur së bashku me familjen e saj.
Në përfundim të fjalës, do të dëshiroja të përshëndes Akademinë e Shkencave për këto iniciativa të vlefshme ku bëhet vlerësimi i specialisteve në fushat e shkencës dhe teknikës të cilët siç thotë Kadare për mësueset, gjithmonë kanë qenë :
” Të urta gjer në dhimbje, të thjeshta gjer në madhështi ”
Arjan Jovani – Kryetar I KKDM
Dhimitër Vogli – Kryetar I KTPD